DERVISH CARA

KRYENGRITJA E DERVISH CARES, PARAPËRGATITI LIDHJEN E PRIZRENIT

Kryengritja e Dervish Cares ishte kryengritje e përgjithshme dhe e para kryengritje që përfshiu mbi 60% të krahinave të banuara me popullatë shqiptare në luftën e saj për çlirim nacional dhe bashkim kombëtar. Kjo rezistencë gjithë shqiptare ruajti në esencë karakterin autokton të vetëvendosjes deri në kërkesën e plotë për çlirim nacional dhe bashkim të krahinave të Shqipërisë Etnike. Historiografia shqiptare nuk ia ka dhënë peshën e merituar që ka kjo kryengritje në historinë tonë kombëtare, bile guxojmë të themi se deri tani është shkruar shumë pak. Kjo kryengritje shqiptare nisi në fushën e Pollogut, aty kah nëntori i vitit 1843, mori karakter gjithëkombëtar dhe përfundoi me rezistencën e fundit të qyteteve të Shqipërisë Verilindore aty kah fundi i vitit 1844. Këtë kryengritje dhe karakterin e saj për çlirim kombëtar për hir të së vërtetës  po i shënojmë disa të dhëna në mënyrë të argumentuar, e objektive, për tu kundërvënë si historiografisë serbe, po ashtu edhe asaj maqedonase, që kanë shkruar për këto ngjarje dhe sot e kësaj dite nuk mund të lirohen nga vuajtjet e tyre shpirtërore. Disa të dhëna të njëanshme japin pushtetarët turk, ndërsa me subjektivizëm të madh këtë kryengritje të pastër shqiptare bëjnë përpjekje për ta njollosur disa priftërinj ortodoks të këtyre anëve që e kishin të kthyer kokën  kah Serbia. Në shënimet e veta ata e shprehin mllefin e tyre fetarë kundër shqiptarëve që ishin ngritur në luftën e tyre nacionalçlirimtare për autonomi dhe bashkim kombëtar.

KRYENGRITJA E DERVISH CARES PËRFSHIU
TERRITORIN E DARDANISË

 Historiografia maqedonase shkon aq larg, sa që përkujton: “se mirë u bë që humbën shqiptarët dhe Zoti e di, se çfarë do të bëhej sikur Dervish Care të kishte mbetur edhe më tutje udhëheqës në Shkup”. (Kryeqytet i Dardanisë). Se si kanë sunduar shqiptarët në pashallëqet e veta edhe para edhe gjatë kryengritjes, më së miri dëshmon prifti Paun nga fshati Nagoriçan i rrethit të Shkupit: “Unë Pauni që kam jetuar në periferi të Shkupit në fund të viteve të 30-ta të shekullit XIX, në Shkup dhe në Pollog, ishte shumë qetë. Në mbarë krahinat e pashallarëve zotëronte paqja, rregulli dhe bindja në siguri”.
Sunduesi më i njohur i kësaj krahine shqiptare ishte Havzi Pasha, i cili në prag të Tanzimatit, sundonte me Pashallëkun e Shkupit, i cili kishte një territor shumë të gjerë, duke përfshirë Shkupin, Kumanovën, Pallankën, Kratovën, Koçanin, Malishevën, Radovishin dhe Shtipin. Këto janë kufijtë e Dardanisë ku më vonë u themelua Shqipëria Lindore. Ky ishte territor i Dardanisë, me kryeqytet Shkupin. Pra në këtë pjesë të Shqipërisë Lindore, kur nuk ka pasur Maqedoni. Territori i Maqedonisë antike, përfshinë hapësirën ajrore nga Shtipi deri në Selanik. Prezenca e popullatës shqiptare dhe lufta e tyre për autonomi, fletë qartë se shqiptarët në këtë pjesë të Shqipërisë, kanë qenë të pranishëm dhe shumë aktiv në kërkesat e tyre permanente për autonomi dhe pavarësi kombëtare. V. Xh).
Havzi Pasha ishte i njohur në veprimet e veta si i ashpër, por me aftësi të mëdha të një udhëheqësi të mençur. Kujdes të posaçëm i kushtonte popullatës krishtere e posaçërisht duhet cekur se të gjithë njerëzit që bënin gabime ndaj ligjit, i dënonte në mënyrë shumë objektive, pa marrë parasysh se cilit besim i takonin. Gjatë sundimit të tij në Pashallëkun e Shkupit, e ka ndihmuar në mënyrë ekspeditive ndihmësi i tij Halil agë Cileja, nga fshati Çellopek, rrethi i Tetovës. Ky kishte treguar trimëri shumë të mëdha në luftë kundër kryengritjes greke.            

RRETHANAT NË SHQIPËRINË LINDORE
  PARA FILLIMIT TË KRYENGRITJES 

  Me shpalljen e Tanzimatit, në vitin 1939, për herë të parë në administratën turke, qytetarët e Perandorisë, trajtoheshin si të barabartë, pa dallim feje e kombi. Mirëpo pika tre e këtyre reformave e preku më së shumti popullatën shqiptare në krye me pashallarët e tyre. Kjo pikë përfshinte “Shërbimin e përgjithshëm ushtarak për të gjithë myslimanët e Perandorisë dhe ishte i obligueshëm”. Shërbimi tani kishte karakter shtetëror – perandorak e jo si deri atëherë, lokal dhe me veshje kombëtare. Shërbimi, zgjaste 15, 9 dhe 7 vjet. Këto reforma dhe aplikimi i tyre në tokën shqiptare e preknin fuqishëm klasën feudale, të pasurit, bejlerët e posaçërisht pashallarët shqiptarë të cilët rreth vetes, në emër të Perandorisë, mbanin ushtarë dhe roje personale. Me këtë ushtri ata komandonin sipas dëshirës dhe nevojës së vetë duke mos i përfillur fare kërkesat e sulltanit. Këto reforma të Portës së Lartë, pashallarët dhe feudalët shqiptarë me të drejtë i dhanë karakter antishqiptar. Pasi në atë kohë duhej të mblidheshin djem të zgjedhur nga toka Arbërore dhe të dërgoheshin për të ruajtur kufijtë e Perandorisë kah Azia, pak shpresë kishte për kthimin e tyre në vendlindje pas atyre vite shërbimi. Ky ishte një ndër format më të përsosura për asimilim e popullatës shqiptare në atë kohë. Në vitin 1842 erdhi deri te një mosmarrëveshje në mes vëllezërve për trashëgiminë e Pashallëkut të Tetovës, pasi Havzi Pasha i Shkupit dhe Hasan Pasha i Qustendillit nuk ishin të kënaqur me ndarjen e trashëgimisë në Pashallëkun e Tetovës, ku sundonte në mënyrë absolutiste vëllai i tyre Abdurahman Pasha. Për këto mosmarrëveshje pronësore u lajmërua edhe Sulltani i cili këto zënka i priti me mirëseardhje për ti pastruar këta pashallarë të pa dëgjueshëm. Në vitin 1843 të tre vëllezërit u nisën për në Edrene, ku u takuan me vet Sulltanin, ky kërkoi nga këta që të zbatohen reformat e Tanzimatit në Shqipëri, dhe të dërgojnë rekrut-redif, sulltanit. Por, kërkesën e Sulltan Abdul Mexhitit II, (1839-1861), nuk mund ta realizonin pashallarët tetovarë. Sulltani i cili personalisht u mor me këtë punë, nuk ishte i kënaqur nga përgjigjja që mori  nga ana e pashallarëve dhe urdhëroi menjëherë të internohen në shkretëtirën e Anadollisë, duke ua marrë të drejtën për kthim në Shqipëri. Sulltani në vend të tre pashallarëve tetovarë, emëroi për udhëheqës të Shkupit, komandantin Mehmet Jusuf Pashën, duke i bashkuar edhe pashallëqet e tetovarëve me një qendër të përbashkët në Shkup. Prej kësaj kohe Pashallëku i Tetovës pushoi së ekzistuari si gjysmë i pavarur. Me ardhjen e Memet Jusuf Pashës komandant i përgjithshëm në Shkup, në maj të vitit 1843, menjëherë kërkoi nga paria shqiptare që të mbledhë redif dhe të nisen sa më parë për në Selanik. Kjo kërkesë e Vezirit të Madh i revoltoi je vetëm shtresën udhëheqëse, por edhe masën e gjerë popullore e cila e tëra kaloi në pa dëgjueshmëri. Ky rebelim i shqiptarëve e shtyri Vezirin e Madh Memet Jusuf  Pashën sëbashku me Hajredin Pashën. që kishte erdh në Shkup të shpallte fermanin, kur panë rebelimin e shqiptarëve ata në korrik të vitit 1843, vendosën të tërheqin Fermanin e Sulltanit për të mbledhur rekrut. Hajredin Pasha shpëtoi kokën duke ikur për Selanik. Situata pak a shumë u qetësua, por në vjeshtë të vitit 1843, Pashai i ri i Shkupit Mehmet Jusufi, përsëri dha urdhër të mblidhen ushtarë për Sulltanin. Në këto rrethana të reja në muajin shtator të vitit 1843, filloi kryengritja gjithë popullore me qendër në Gostivar dhe Tetovë.
                       
KRYENGIRITJA FILLON NË GOSTIVAR
    NË KRYE ME DERVISH CAREN     

  Kjo rezistencë rritej dita-ditës kundër reformave të Tanzimatit dhe ishte njëherë edhe kundër Sulltanit, që këto reforma të mos zbatohen në pashallëqet shqiptare ose thënë më mirë, në tërë krahinat shqiptare të Shqipërisë Etnike. Epiqendra e kësaj lëvizjeje, kësaj radhe është në Gostivar, ku në krye të qytetit ishte Dervish Poda, që mbante gradën e Aga, që do të thotë udhëheqës. (çarshi agasi- kryeshef i policisë), apo thënë ndryshe Komandant i qytetit.  Ky në fillim ishte nëpunës i Abdurahman Pashës, më vonë fitoi besimin e  tij dhe u emërua Aga-udhëheqës, që i mundësohej  e drejta të komandonte me Gostivarin.
Dervish Poda-Care, ishte i lindur në fshatin Pallçisht të Tetovës. ky mbante mbiemrin e familjes Care, e jo si thotë Toskovi e shpalli veten car.  ky e ka ngatërruar mbiemrin e familjes  të Dervish Cares me fshatin Care, nga e ka prejardhjen familja e tij.   Ky fshat ndodhet në rajonin e Kalisit, përgjatë lumit Drin. Krahinë e njohur e rezistencave shqiptare V.Xh). Poashtu emrin dhe etnogjenezën shqiptare të këtij heroi kombëtar tenton ta ndryshoj edhe vetë Matkovski.  cili në sqarimin e tij deklaron: se Dervish Care ka qenë me prej ardhje “torbesh”. por ky autor nuk donë të pranojë se familja e tij sot jeton e shpërndarë në disa fshatra me popullsi shqiptare në fushën Pollogut dhe më gjerë. Ndërsa “torbeshët”, jetojnë nëpër enklava dhe për ka profesioni dallojnë shumë dhe vështirë përzihen me të tjerët. Matkovski në fund pranon: “se ishte prijës i shqiptarëve të veriut”.
Pas largimit të Abdurhaman Pashës në vitin 1843 për Turqi, në vend të tij erdhi i vëllai Xheladin Beu. Por ky u tregua i dobët si pushtetar. Dervish Aga-Poda, i shfrytëzoi dobësitë e Xheladin Beut, pasi ky u tregua tejet i paaftë për të udhëheqës, Dervish aga e mori tërë komandën në duart të veta dhe u bë i njohur në qeverisjen e Gostivarit me rrethinë. Ky në muajin shtator 1843 e shpalli të lirë Gostivarin dhe u nisë për Tetovë kundër Xheladin Beut.
Dervish Aga-Care, tani më i njohur si komandant në Gostivar me rrethinë, vendosi të niset në drejtim të Tetovës. Ky i ndau forcat e tij së bashku me vullnetarët në dy kolona; njërën e nisi në drejtim të Malit të Thatë, duke i porositur fshatarët; se janë të lirë dhe nuk duhet të japin rekrut. Shqiptarët këtë ofertë e pranonin gati të gjithë, pasi ishin kundër regrutimit dhe shkuarjes së tyre në Turqi. Pas këtyre fjalimeve që mbanin njerëzit e caktuar të Dervish Agës, ata vendosën vullnetarisht ti bashkohen kësaj ushtrie. Sipas organizimit për mbrojtjen e Pollogut,  midis fshatrave Stërmnicë, Grupçin dhe Zhelinë u vendosën pika mbrojtëse, ku u caktuan roje, për të siguruar rrugën Shkup-Tetovë, në se sulmohet Pollogu nga ngushtica e Grupçinit. Pjesa kryesore që udhëhiqej nga vetë Dervish Care, kaloi nëpër fshatrat rrëzë malit Sharr, duke kërkuar nga paria e fshatrave, që të përzihen nëpunësit dhe tagrambledhësit dhe mos të japin regrut. Prandaj nëpër këto fshatra, Dervish Care u prit si çlirues në; Dobërdoll, Negotinë, Senokos, Gradec, Pirok, Bogovinë, Kamjan, Pallçisht dhe ushtrinë e tij e vendosi në fshatin Reçicë të Vogël. Ndërsa, vetë me komandën e  tij u vendos në Teqenë “Arabati Baba”, në Tetovë. Këtu komandën e mori zëvendësi i tij Beqir Aga, ndërsa vetë vazhdoi takimet dhe bisedat me parinë tjetër shqiptare, për organizimin e vetëmbrojtjes. Një pjesë e ushtrisë së tij zuri pikat strategjike që lidhë rrugën e vjetër iliro-romake; Tetovë-Prizren, që kapë hapësirën midis fshatrave; Shipkovicë, Brodec-Selcë,Vejcë.
Tetova tani më u nda në dy pjesë. Njëra ishte me kryengritësit dhe pjesa tjetër ishin me Haxhi Hasanin, zëvendës Xheladin Beut. Ky në fillim së bashku me familjen e tij dhe nëpunësit turq, ishin mbyllur në Kalanë e Tetovës. Ndërsa një pjesë e mercenarëve të tij operonin në pjesën e qytetit të vjetër në drejtim të fshatit Poroj. Këta bënin rezistencë të fuqishëm, duke pritur ndihmën e ushtrisë osmane, që përsëri të pushtonte Pollogun dhe të rivendoste rendin  dhe pushtetin e administratës turke.

MARRJA TETOVËS NGA KRYENGRITËSIT NË JANAR 1844

Lufta për Tetovën dhe Kalanë zgjati tre javë. Xhelatin Beu para se të ikte në Shkup si pasardhës i Abdurahman Pashës donte ta djegë Tetovën dhe kalanë, por nëna e tij e kundërshtoi dhe nuk lejoi të digjej Tetova. Dervish Care u bëri një apel qytetarëve të Tetovës që tu bashkohen kryengritësve. Gjatë janarit të vitit 1844 edhe Tetova u mor nga vullnetarët e Dervish Cares. Prej kësaj kohe e tutje, Tetova u bë qendër e kryengritësve, kurse Tekja e Tetovës ishte shndërruar në  qendër kryengritëse, aty ndodhej komanda kryesore në krye me Dervish Caren.
Pas Tetovës dhe Gostivarit, Dervish Care, filloi bisedimet me parinë e Prizrenit, Dibrës, Prishtinës, Vrajës dhe Kumanovës që të përgatiten bashkërisht ta sulmojnë Shkupin, pasi administrata osmane ende e mbante në duart e veta. Në një letër të dërguar nga konsulli francez në Selanik të datës 12 tetor 1843. ai përshkruan se në këtë datë ka parë një ushtri të madhe prej 32000 ushtarëve të cilët janë nisur prej Edrenesë për në Manastir, për në luftë kundër kryengritësve shqiptarë që kishte filluar në Tetovë dhe Gostivar. Në raportet e konsujve shihet qartë se kryengritësit e morën Tetovën më 31 janar të vitit 1844. Në raportin e njëjtë që e jep konsulli anglez Bland thotë; se të dy udhëheqësit shqiptarë, Dervish Cara dhe Sulejman Toli, me disa mijë kryengritës kishin rrethuar Shkupin, ndërsa Pashës së Shkupit, i kishin dhënë një ultimatum prej 11 ditësh që të lëshojë qytetin pa luftë, nëse nuk e bënë këtë brenda afatit, do të digjej i tërë qyteti. Tanimë më disa qytete të tëra mbaheshin në duar të kryengritësve shqiptarë duke vënë pushtetin e tyre. Pas marrjes së Shkupit në mars të vitit 1844, vetëm kalaja e Shkupit ende mbahej e rrethuar nga të gjithë anët prej 4000 deri 6000 ushtarë, ndërsa brenda në kala, ndodhej Hasan Pasha me 1600 ushtarë të rregullt, i cili nuk donte të dorëzohet.
Poashtu për rëndësinë e kësaj kryengritje shqiptare dhe numrin kaq të madh të ushtarëve e verifikon edhe udhëpërshkruesi rus Viktor Grigorieviç i cili viziton Manastirin në vitin 1843deklaron: “Në Manastir kam parë aq shumë ushtarë që ishin të gatshëm për të sulmuar kryengritësit shqiptarë”. Ky sllavist rus, ka ushqyer një urrejtje shumë të madhe kundër shqiptarëve. Nga raportet e konsujve shihet qartë se popullsia myslimane dhe ajo krishtere me simpati e mbajtën anën e kryengritësve, bile ajo ndihmoi shumë në ato kushte të vështira klimatike të dimrit, për mbajtjen e  ushtrisë vullnetare shqiptare. Ajo ndihmoi duke i strehuar nëpër shtëpitë e tyre, në të gjitha fshatrat përreth Shkupit.
Rrethimi qytetit të Shkupit zgjati deri në fund të shkurtit 1844. Shkupi në atë kohë kishte 38,000 banorë me shumicë shqiptare. Pas rënies së Shkupit, Shtabi Kryengritës u shpërngul na Tetova dhe u vendos në Shkup. Dervish Care me udhëheqësit tjerë vazhdoi çlirimin e  qyteteve tjera të Shqipërisë lindore. Një ushtri tjetër që ishte mbledhur në Vaksincë, nën komandën e Bajram Vaksincës, ky ishte bashkëpunëtor i ngushtë i Dervish Cares, kah fundi shkurtit kishte çliruar territore të tëra duke filluar nga Kumanova me rrethinë, pasta Preshevën, Bujanovcin dhe kishte nisur për ta marrë Vrajën, që ishte qendër e Pashallëkut, të cilën e drejtonte Hysen Pasha. Ky kur e sheh ushtrinë shqiptare se po i afrohet Vrajës e lëshon qytetin dhe shkon te Veziri i Manastirit. Pashallëku i Hysen Pashës shtrihej deri në grykën e Gërdelicës, ku bënin pjesë krahina e Bujanovcit, Preshevës dhe Kumanovës.
Popullata e këtyre trevave kishin një urrejtje ndaj sundimit të pakufizuar të Hysen Pashës. Prandaj që nga fillimi të vitit 1844 shumë shqiptarë të kësaj ane ishin bashkuar me kryengritësit e Sulejman Tolit dhe Selim Markut, që ishin dora e djathtë e Dervish Cares, Këta dy e mbanin të rrethuar Vrajën. Por me ardhjen e forcave të reja,  arritën ta marrin qytetin në fillim të prillit 1844.
Kryengritja në këtë kohë kishte përfshirë edhe shqiptarët e rrethit të Leskovcit të udhëhequr nga Fekë Baba dhe Sejdi Menxha. Këta i drejtohen Leskovcit, por nuk arritën ta marrin qytetin. Gjatë pranverës së vitit 1844, kryengritja e Dervish Carës u përhap edhe në viset tjera duke përfshirë Kërçovën, Ohrin dhe rrethin e Manastirit. Në këto anë u dallua Emin Xhambaz Kërçova - krahu i djathtë i Dervish Carës. Në mars të vitit 1844 kryengritja shqiptare përveç fshatrave të Karadakut të Shkupit, u zgjerua edhe në drejtim të Kaçanikut, Ferizajt dhe Prishtinës. Në Shkurt të vitit 1844 kryengritja kishte përfshirë pjesën më të madhe të tokave shqiptare. Këtë e dëshmon edhe raporti i konsullit anglez ku thuhet se shqiptarët e veriut me Shkodrën dhe viset tjera bregdetare ishin betuar se do të bënin rezistencë të armatosur deri në fund kundër pushtetit turk. Kjo është dëshmi e argumentuar në bazë të raporteve të konsujve anglez, francez dhe rusë, se kryengritja e Dervish Carës që kishte filluar në Gostivar, Tetovë e Shkup, u përhap me të shpejtë në të tërë Shqipërinë e Veriore, ndërsa në jug duke filluar nga Manastiri, Kërçova. Gjithashtu kryengritja përfshiu edhe viset Lindore deri në Leskovc dhe në Veriperëndim në mbarë Kosovën. Prandaj, me plot të drejtë ajo mund të quhet Kryengritja e Përgjithshme dhe e para që përfshiu mbi 80% të krahinave të banuara me popullatë shqiptare të Shqipërisë Etnike, në luftën e saj për autonomi dhe pavarësi kombëtare.
Kjo kryengritje gjithë popullore me përmasa kaq të mëdha, futi frikën pushtetit qendror osman. Perandoria Osmane e informuar mirë për të gjitha ngjarjet në krahinat shqiptare, bënte përgatitje të mëdha për intervenim ushtarak. Ajo solli teknikë të madhe prej Selaniku në drejtim të kryengritësve. Porta e Lartë kishte caktuar dy komandantë më të shquar në luftë kundër kryengritësve shqiptarë: Ata ishin: Hajredin Pasha dhe Omer pashë Latasi, Komandant i përgjithshëm për shuarjen e kryengritjes ishte caktuar serasqeri Reshid Pasha me seli në Manastir. Ky qytet në atë kohë kishte 35 mijë banorë, nga ata 25 mijë shqiptarë, ndërsa 10 mijë të tjerë; bullgarë, vlleh, grek, serb dhe romë.   
Forcat e mëdha ushtarake turke çdo ditë vinin me anije në Selanik, prej Selaniku drejtoheshin për në Manastir. Selaniku në atë kohë ishte pjesë e Perandorisë Osmane.
Rrethanat në Shqipëri më së miri i përshkruan konsulli anglez Blanti, ky lajmëronte se, deri në 3 prill të vitit 1844 në Manastir kishin ardhur forca të reja të cilat numëronin; 3800 këmbësorë 1000 kalorës, 1600 ushtarë artilerie dhe 1800 ushtarë redif shqiptarë të ardhur nga jugu si mercenarë. Një udhëpërshkrues rus që vizitoi në atë kohë Manastirin thotë: Deri më sot, kurrë nuk ka parë aq shumë ushtarë të një perandorie për të sulmuar shqiptarët. Me 8 prill të vitit 1844 në Manastir kishin arritur edhe Hajredin Pasha dhe Omer pashë Latasi, për të marrë komandën ushtarake që do të sulmonin nga Manastiri. Para se të mbërrinte Hajredin Pasha në Manastir, ai u takua me konsullin anglez Blantin në Selanik, ku u bisedua gjerë e gjatë për situatën në Shqipëri dhe përgatitjen që e bënte Hajredin Pasha, që sa më parë ta shuante kryengritjen shqiptare.
Në raportin e tij konsulli anglez, dërguar ambasadorit të vetë në Stamboll, zotit Aberdin, pranon se Hajredin Pasha, i ka ikur përgjegjësive luftarake në mënyrë shumë perfide, duke fshehur planin ushtarak të përgatitur enkas nga Stambolli, për ta shuar këtë kryengritje shqiptare.

BETEJA TA SOFA-AFËR KËRÇOVËS

Hajredin Pasha arriti në manastir më 10 prill. ky pas një muaj, më 11 maj 1844, filloi operacionet kundër kryengritësve shqiptarë. Kjo betejë u bë shtatë ditë para betejës së Katllanovës. Qyteti i Kërçovës mbahej në duar të kryengritësve, por jo edhe kalaja e saj e cila ende mbahej në duar të ushtarëve turq, që bënin rezistencë nga fillimi i kryengritjes. por, pasi situata ishte alarmante, garnizoni turk kishte mbetur pa municion, ata tani donin të dorëzohen, pasi deri tani kishin qëndruar të mbyllur në kalanë e Kërçovës. sipas komandës turke Hajredin Pasha, mori urdhër për të furnizuar këtë garnizonin me  armë. Ky u nisë nga Manastiri për në Kërçovë më 11 maj, kur ushtria e tij afrua afër fshatit Sop u prit nga 6000 kryengritës shqiptarë dhe pas një lufte të ashpër kryengritësit u tërhoqën, duke lënë në fushëbetejë përafërsisht te 200 të vrarë. Hajredin Pasha hyri në qytet aty vendosi 1500 ushtarë mercenarë të jugut, ndërsa me një pjesë të ushtrisë kthye  për Veles ku ishte përqendruar komanda turke, e cila përgatitej për ta sulmuar Dervish Caren në grykën e Katllanovës. Lufta e Sopit, ishte beteja e parë midis kryengritësve dhe ushtrisë turke.  Por, deri më sot nuk kemi dëshmi të sakta  se ku ndodhej në këtë betejë Emin Xhambazi, njeriu i dytë pas Dervish Cares. V.Xh).
Sipas raportit të Çarls Blantit: “Hajredin Pasha pas betejës nisi për Selanik 200 shqiptarë të kapur në betejën e Kërçovës, të cilët arritën në Selanik më 31 maj. Sipas disa raporteve të kohës, mendohet se nga të dy palët mbetën të vrarë mbi 600 vetë. pas shtatë ditëve të betejës së Katllanovës, më 25 maj, konsulli anglez Blanti, njoftonte ambasadorin e vet në Stamboll z. Kening, se shqiptarët te beteja e Sopit, afër Kërçovës,  u mundën nga ana e toskëve, që shërbenin si mercenarë në ushtrinë e Hajredin Pashës.




LUFTA SHQIPTARO-TURKE FILLOI MË 13 MAJ
NË NGUSHTICËN E TAORIT, VELES-KATLLANOVË

Me urdhër të serasqerit të përgjithshëm Mehmed Reshid Pashës i njohur si vrasës i 1000 shqiptarëve në komplotin te kazerma në manastir, më 21 qershor të vitit 1830. Ky mendonte se pas kësaj masakre që bëri kundër udhëheqësve shqiptarë të qetësonte Shqipërinë nga udhëheqësit për autonominë e vendit, që ta lente Shqipërinë pa kokë, pa udhëheqës.
Reshid Pasha  komandonte nga Manastiri, që në atë kohë numëronte gjithsejtë  35.170 banorë, pre tyre 25 mijë shqiptarë, 5.800 sllav dhe 2.400 turq. Manastiri ishte shpallë si qendër në luftë kundër kryengritësve ku ishin mbledhur shumë ushtri, kundër kryengritësve shqiptarë që numëronin deri në 15 mijë kryengritës  të komanduar nga Dervish Care, i cili në atë kohë ishte koncentruar Shkup me bashkëpunëtorët e tij: si Emin Xhambazi, Sulejman Toli, Selman Rogoçica, Emin Tetova, Ymer Presheva, Baba Feka, Sejdi Mexha,  Bajram Vaksinca, Ismail Batalli, e tjerë.
Reshid Pasha dha urdhër në fillim të majit, që zëvendësi i tij Daut Pasha të niset nga Manastiri për në Veles, ku u koncentruan mbi 10.000 ushtarë. Daut Pasha arriti në Veles më 8 maj 1844, ndërsa pararojën e ushtrisë turke e komandonte Omer pashë Latasi. Ky me origjinë ishte kroat, kishte pranuar islamizmin, dhe ishte vu në shërbim të Sulltanit.
Para se të fillonte lufta midis kryengritësve komanda turke donte të bisedonte me shqiptarët që të arrihet ndonjë marrëveshje që mos të vijë deri te gjakderdhja, pasi edhe komanda turke para fillimit të kësaj beteje kishte një farë rezerve të frikës, pasi ushtarët turq i njihnin mirë aftësitë edhe trimëritë e shqiptarëve. këta sëbashku deri tani kishin marrë pjesë në shumë beteja të përbashkëta kundër armiqve të Perandorisë Osmane. Vetëm nga Shqipëria gati çdo vit dërgoheshin në Stamboll mbi 2000 djemtë të zgjedhur shqiptarë, për të luftuar për nevojat e sulltanit.

NEGOCIATAT E HAJREDIN PASHËS ME KRYENGRITËSIT
               NË SHKUP DHE FILLIMI I LUFTËS

Qeveria turke kërkoi nga Hajredin Pasha të bisedoj  me kryengritësit. Ky ishte i njohur për shqiptarët e kësaj ane pasi më 1 gusht 1843 kishte erdh në Shkup dhe trojet tjera të mbledhë redif, por hasi në rezistencë të fortë nga popullata shqiptare u burgos nga shqiptarët në kalanë e Shkupit, pastaj e dërguan në një fshat, ka i gjeti lidhje dhe u kthye prapë në Selanik. Hajredin Pasha i njohur në këto anë mori urdhër përsëri nga qeveria turke që të vij në Shkup, aty kah fillimi i majit, të bisedoj edhe njëherë me kryengritësit. Shqiptarët i premtuan besë, ai erdhi në Shkup, i filloi negociatat me udhëheqësit e kryengritjes. Ky i luti edhe njëherë shqiptarët që tu nënshtrohen urdhrave të sulltanit, të premtojnë se do të sigurojnë redif për Sulltanin dhe të paguajnë tatimet e mbetura. Kryengritësit u përgjigjën një zëri, “se kur nuk i pranojnë këto kërkesa për të dhënë ushtarë në anën e  Sulltanit, po ashtu janë edhe kundër tatimeve”. Hajredin Pasha u largua i zemëruar ngase nuk arriti ti bind shqiptarët, në largim u tha, atëherë duhet të përgatiteni për luftë. Po sa u kthye në Manastir, e paralajmëroi Reshid Pashën, se bisedat me shqiptarët nuk dhanë rezultatet e pritura.





            FILLIMI I LUFTËS NË TAOR-PARA KATLLANOVËS
       
Pararoja e ushtrisë osmane e komanduar nga Omer pashë Latasi,  u ndesh më 13 maj me kryengritësit shqiptarë, menjëherë para Grykës së Katllanovës, në ngushticën nga Velesi për në Shkup. Kryengritësit shqiptarë, për shkaqe sigurie qysh më parë kishin shkatërruar urën mbi lumin Vardar dhe kishin zënë pozicione nëpër shkëmbinj, përgjatë kësaj ngushtice të ashtuquajtur Taor. Për të qenë më të sigurt në mbrojte që mos të sulmohen prapa shpinës, shqiptarët e kishin  prishur edhe urën tjetër mbi lumin Pçinja te fshati Katllanovë.
Kryengritësit arritën të rezistojnë fuqishëm për katër ditë resht, deri më 17 maj, mos të lejonin assesi depërtimin e  ushtrisë turke drejtë  Shkupit dhe Katllanovës. Ata pasi e dogjën urën mbi lumin vardar, proklamonin: “se erdhi koha që shqiptarët të mblidhen  e ta mbrojnë pavarësinë për të drejtat e veta, kundër armikut të përbashkët. Pozita strategjike në teren, për gjatë grykës; Veles-Katlanovë, u mundësonte kryengritësve një vetëmbrojtje të shkëlqyer. Por edhe Dervish Care e zotëronte mirë artin luftarak, pasi më parë kishte shërbyer si oficer në njësitin e jeniçerëve. Për këto merita ishte emëruar për udhëheqës në Gostivar.
 Omer Pashë Latasi, për të fituar besimin  e Sulltanit, hyri në luftë vendimtare vetëm me pararojën e  ushtrisë së tij, e cila numëronte mbi  2000 ushtarë të rregullt, ndërsa kryengritësit kishin përafërsisht 6000 vullnetarë.
Poashtu këtë sukses të kryengritësve shqiptarë në mbrojtje të vendit nga data 13 maj deri më, 17 maj, e vërteton edhe Jovan haxhi Vasileviqi, i cili thotë; se kjo Grykë, është shumë e rëndësishme, për këtë sulm të parë te ngushtica, dhe vazhdon: “Se ushtria turke ka qenë e rrethuar nga shqiptarët e shumtë, ajo nuk mundi të kalojë Grykën, pa pasur humbje të mëdha”.
Sipas burimeve serbe, kryengritësit shqiptarë numëronin 8000 vetë dhe ishin përqendruar midis Shkupit dhe Velesit. Komanda e kryengritësve ishte vendosur në një Han afër Katllanovës. Komanda turke kishte nisur edhe forca tjera nga Sofja në drejtim të Qustendilit, ku ishin stacionuar; 2450 këmbësorë, 850 kuaj, dhe 12 armë artilerie. Në një tjetër raport të konsullit francez thuhet: “se ushtria turke numëronte 3.380 këmbësorë, 340 kalorës, dhe 10 topa”. Sipas një  njoftimi që na jep Çarls Blanti për gjendjen e ushtrisë turke shkruan; se gjatë muajit prill 1844, përreth pashallëkut të Shkupit ishin të koncentruar këto trupa; në Manastir ushtarë të rregullt kishte 3800,  1000 kalorës, me 1,600 copë artileri dhe 1800 rezervistë shqiptarë nga Jugu i Shqipërisë, gjithsejtë 8200 ushtarë që ishin në gjendje gatishmërie për luftë kundër kryengritësve të Dervish Cares. Ndërsa në Prilep kishte të stacionuar 600 kalorës. Sipas një raporti tjetër ushtria turke kishte grumbulluar në afërsi të Shkupit 16 batalione këmbësorie, 2 regjimente të kalorësisë dhe 30 topa, gjithsejtë ushtria turke numëronte mbi 15 mijë ushtarë. Këto forca të mëdha turke komandoheshin nga serasqeri Reshid Pasha nga Manastiri, deri me marrjen e Shkupit. nën komandën  e tij ishin Hajredin Pasha dhe Omer pashë Latasi dhe Murat pashë Topçiu.

            BETEJA E KATLLANOVËS U ZHVILLUA MË 18 MAJ 1844

Pararoja e ushtrisë turke e përbërë nga 2000 këmbësorë në krye me Omer pashë Latasin e para ishte nisur për në Veles. Qëllimi i Omer Pashë Latasit ishte t’i zë pikat kryesore me karakter strategjik prej nga do të mund të kontrollonte të gjitha rrugët që shpinin për Tetovë, Shkup dhe Prilep. Po ashtu konsulli anglez dëshmon se nga Porta e Lartë kishte lëshuar një ferman në të cilin thuhej se do t’u falej jeta të gjithë atyre që do t’i dorëzonin armët dhe prej tani e tutje nuk do të jenë të obliguar të shërbejnë në ushtri të rregullt. Porta këtë e bëri për qëllime të caktuara për të futur hutinë dhe përçarjen në radhët e shqiptarëve e posaçërisht tek ata që nuk ishin të vendosur dhe mbanin anën osmane. Omer pashë Latasi në oborrin e vet ushtarak kishte thirr edhe diplomatin anglez nga Stambolli, Henri Lejardin, ky ishte vendosur pranë tij dhe ishte në përcjellje të çdo ngjarje. Ky diplomat anglez ka mbajtur shënime të hollësishme për kryengritjen e Dervish Cares dhe i ka botuar në Londër në vitin 1903. Diplomati në mënyrë shumë të përsosur dhe të përpiktë e përshkruan ushtrinë kryengritëse të shqiptarëve në krye me Dervish Caren. Ai përshkruan kontaktet e tij me krerët e kryengritësve, sjelljen e mrekullueshme të pararojës, afër Banjës së Katllanovës para se të filloj lufta e armatosur në mes Ushtrisë Osmane dhe Ushtrisë Shqiptare në krye me Dervish Caren. Komanda e kryengritësve shqiptarë për disa pika u pajtua me kërkesën e komandantit turk, por pika ku përfshihej kërkesa e shqiptarëve që të hiqej rekrutimi dhe të mos merret redif nga trojet shqiptare për të luftuar për interesat e Perandorisë Osmane. Kjo kërkesë shqiptare, mos të jap rekrut për Sulltanin, ishte e papranueshme për komandën turke. Rashid Pasha, i njohur si vrasës i shqiptarëve, pas masakrës së Manastirit, që e bëri në vitin 1830, kur me tradhti vrau mbi 500 udhëheqës trima në paradën ushtarake. Tani më i njohur si armik i përbetuar i shqiptarëve, assesi nuk donte të dëgjojë këtë kërkesë unanime të kryengritësve shqiptarë që të lirohen nga rekrutimi.
Sipas përshkrimit të ngjarjeve në prag të betejës nga ana e diplomatit anglez Lejardi; shënojmë se edhe Omer Pashë Latasi mbante në vete njëfarë frike e rezerve, sepse ishte i bindur se ushtarët e tij, duke i njohur mirë shqiptarët, luftërat dhe trimëritë e tyre, ekzistonte mundësia të dezertojnë para se të fillonte beteja. Prandaj, komandanti i përgjithshëm i forcave osmane që ishte vendosur përball Katllanovës në malet mbi Veles, e luti edhe njëherë diplomatin anglez Lejardin që të bisedonte me Komandantin e Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare Dervish Caren, sepse vetë Omer pashë Latasi ishte i bindur se në ato rrethana shqiptarët kryengritës më së shumti kishin besim në diplomatin anglez sesa te turqit.
Kampi i kryengritësve ishte i vendosur pas grykës së Katllanovës. Këtë më së miri e përshkruan, diplomati anglez, i cili thotë; prej kampit të ushtrisë turke, pas dy orë udhëtimi, u takova me pararojën shqiptare dhe kërkova nga ata që të më përcjellin deri në kampin ku ishte i vendosur komandanti Dervish Care. Pas një bisede të shkurtër, u bindën se jam diplomat i huaj dhe duhet patjetër të takohem me komandantin. Diplomati anglez vazhdon; pasi arrita te vendi i caktuar, kërkova që të shihem në katër sy për të biseduar me Dervish Caren dhe njerëzit e tij. Me përcjellje më dërguan deri te çadra ku ndodhej komandanti i tyre. Arritëm në çadrën e tij e cila ndodhej në mes të malit pa kurrfarë roje. Leardi më pas shënon; udhëheqësi i kryengritjes shqiptare nuk dallonte fare nga kryengritësit tjerë shqiptarë. Veshja e tij, shumë pak dallonte nga të tjerët vetëm se kishte një qëndisje të bukur ndërsa pushka e tij kishte qëndisje prej argjendi, ndërsa vet Dervish Care ishte një udhëheqës pa përgatitje shkollore, por dinte lexim. Ndërsa shumica nga shokët  e tij nuk dinin shkrim dhe lexim. Gradat që shiheshin në supet e tyre ishin të emëruara sipas trimërive që kishin treguar, kurse vetë Dervish Care ishte emëruar komandant, nga vetë shokët në bazë të meritave që kishte. Të gjithë njerëzit në çadrën e tij ishin mikpritës, krenar dhe me një gjakftohtësi të çuditshme. Në bisedën tonë të ngrohtë, shkruan diplomati, u mundova ta bind komandantin shqiptarë që të heqë dorë nga lufta e mëtejme që të mos vijë deri te gjakderdhja. Dervish Care në mënyrë shumë të butë para të gjithë bashkëpunëtorëve të tij u përgjigj: “Ne kemi vendosur të luftojmë deri në fund dhe mos ta njohim pushtetin suprem turk në trevat shqiptare, të mos u nënshtroheni ligjeve të Tanzimatit, do të luftojmë kundër rekrutimit të shqiptarëve për nizamë dhe, kurrë nuk do të pranojmë që shqiptarët nga trevat e tyre të dërgohen në vendet aziatike për të mbrojtur kufijtë e Turqisë. Nëse kjo kërkesë nuk pranohet, ne jemi të gatshëm të luftojmë deri në vdekje”, ka deklaruar Dervish Care përpara diplomatit anglez. Lejardi, pasi nuk arriti sukses në biseda me shqiptarët u kthye prapë më 17 maj në taborin e ushtrisë turke për ta informuar Omer pashë Latasin mbi pikat që kishte biseduar me kryengritësit.
 Pas këtij takimi shqiptarët në mëngjesin e hershëm të 18 majit, sulmuan të parët ushtrinë turke. Lejardi shënon se shqiptarët ishin në numër të madh, por u mungonte disiplina ushtarake edhe pse ata ishin të vendosur dhe sulmonin me vendosmëri. Lufta zgjati deri në mesditë. Kryengritësit shqiptarë nuk arritën të thyejnë vijën e parë të frontit turk, pasi Omer Pasha, komandën e mbante në duart e veta dhe komandonte me një gjakftohtësi, ndërsa ushtria turke në mënyrë shumë të koordinuar me topat e tyre gjuante mbi sulmuesit shqiptarë. Pati edhe raste që shqiptarët t’i neutralizojnë disa topa me duar thatë shembull, vetë për të mbajtur moralin e luftës te luftëtarët e tyre; këta ishin dy trima të Dervish Cares, nënkomandantët; Emin Tetova dhe Ismail Batalli.
 Dervish Care, kur e pa se humbjet do të jenë shumë të mëdha, vendosi ta tërheqë ushtrinë kah Shkupi, në drejtim të fshatit Araqinë, duke u grupuar në njësite më të vogla, që t’u ikin sulmeve nga ajri. Këtë tërheqje të kryengritësve shqiptarë e shfrytëzoi me dinakëri komanda turke duke propaganduar se u thyen shqiptarët, duke i përgatitur psiqikisht ushtarët turq që të kalojnë në kundërsulm te Bëja e Katllanovës, ku u zhvillua një betejë e përgjakshme dhe më vonë u përhap në tërë Fushën e Shkupit. Këtu u kapën të gjallë dy udhëheqës kryesor të kryengritjes; Dervish Care dhe Emin Xhambazi. Komandanti turk urdhëroi që Emin Xhambazit ti pritet koka aty për aty, ndërsa për Dervish Caren dha urdhër që duar lidhur të niset për në Stamboll.
Shqiptarët në mungesë të artilerisë, duke mos mundur t’i rezistojnë zjarrit nga artileria, u detyruan të tërhiqen në drejtime të ndryshme, një pjesë e saj mori rrugën e Tetovës, ndërsa një pjesë tjetër në drejtim të Vrajës. Ushtria turke duke shty përpara shqiptarët, të cilët bënin rezistencë hap pas hapi, iu afrua Shkupit.
Omer Pasha Latasi me 21-22 maj me ushtrinë e vet hyri në Shkup. Hyrjen e tij në Shkup e shfrytëzoi për bisedime me disa krerë shqiptarë me qëllim që të ndikojnë në qetësimin e situatës. Kryengritësit shqiptarë u tërhoqën në drejtim të Tetovës, u ndeshën përsëri me ushtrinë turke te Gryka e Malit të Thatë mbi fshatin Zhelinë më 22 maj. Pasi shqiptarët të udhëhequr nga Beqir aga nuk pranonin propozimin e Hajredin Pashës për udhëheqës të Tetovës të emërohet Dali beu nga Dibra. Rezistenca zgjati tre ditë, midis fshatrave; Zhelinë, Grupçin, dhe Merovë, Forcat e Hajredin Pashës përsëri ngadhënjyen. Më 25 maj, ushtria turke në bashkëpunim me bejlerët shqiptarë të Dibrës, Dali Beun, Haki Pashën dhe Ali Beun hynë në Tetovë.
 Kryengritësit tetovarë përsëri nuk u dorëzuan, por e vazhduan rezistencën nëpër malet e Sharrit mbi Tetovë, Gostivar dhe Dibrës. Në të njëjtën ditë në Tetovë erdhi edhe Hajredin Pasha, me qëllim që t’i bindte shqiptarët për rend dhe rregull e për të pranuar Dali Beun për udhëheqës, por shqiptarët nuk assesi nuk pranonin. Pas Hajredin Pashës, në Tetovë erdhi edhe Ismail Pasha me një ushtri tjetër. Kështu Tetova u shndërrua në kamp, si me qenë poligon ushtarak, ku e tërë pesha e furnizimit ushtarak binte mbi supet e fshatarësisë së pafajshme, ku duhej shumë ushqim, për mirëmbajtjen e një ushtrie kaq të madhe të Sulltanit. Komandantët turq këtë e bënin me qëllim që të frikësojnë popullsinë e kësaj ane, për t’u nënshtruar sa më parë ushtrisë osmane. Për këtë qëllim, nga vetë komandantët ushtarak, merreshin masa të ashpra.

GJYKIMI I DERVISH CARES

Për Dervish Caren ka pasur interesim të madh edhe nga diplomacia evropiane, ndër shtetet më të interesuara kanë qenë Franca dhe Anglia. Konsulli anglez kur e përshkruan komandantin shqiptar Dervish Caren thotë: “Kur kuptuam se Dervish Care i lidhur kah arritur në Selanik, dola dhe e pashë me sytë e mi, ai dukej një burrë i lartë përafërsisht i moshës 50 vjeçare, në fytyrë dukej i ashpër dhe fare nuk buzëqeshte”. Por edhe në bazë të dhënave që kisha për kohën e sundimit të tij në Gostivar, si zëvendës i Xheladin Beut, ai prej vitit 1841, njihet si njeri që ka mbajtur rend dhe rregull në Gostivar, Tetovë dhe Shkup.
Pasi gjatë sundimit të Xheladin beut, i cili ka qenë i pa vendosur në disa momente të sundimit, pasi më tepër i ka interesuar jeta luksoze, dhe shumë pakë kujdesi për qeverisjen dhe zhvillimin e pashallëkut. në këto raste të pa qarta të qeverisjes së tij, të gjitha detyrat i kryente vetë Dervish Cara. Unë edhe në gjykimin e tij në Stamboll, sipas raporteve të konsullit anglez, Dervish Care në mënyrë lakonike përgjigjet para trupit gjykues, kur ka qenë i pyetur nga kadiu, se kush të shtyri të çojësh popullatën kundër perandorisë turke, ai përgjigjet:“Mos e merrni në qafë askënd, të gjithë janë të pafajshëm, kamë qenë vetë ai që e kamë filluar luftën nga Gostivari, e deri në Katllanovë, prandaj, kërkoj të më dënoni vetëm mua, të tjerët janë të pafajshëm”.
Në Tetovë dhe Shkup u burgosën udhëheqës të ndryshëm, agallarë, bejlerë dhe shumë shqiptarë tjerë me influencë që kishin vepruar në anën e kryengritësve. Më 7 qershor të vitit 1844 këta të burgosur nga fusha e Pollogut në këmbë duar lidhur, arritën në Selanik. Pas rënies së vendeve tona përsëri nën sundimin turk, më së shumti pësuan shqiptarët e Pollogut me internimet, burgosjet dhe vrasjet e llojllojshme.
Omer Pasha, pasi e qetësoi Shkupin u nis në drejtim të Kumanovës me dy ushtri, të veten dhe ushtrinë që erdhi nga Qustendili dhe më 17 qershor e pushtoi Kumanovën. Pasi i vendosi administratën turke, në mënyrë më brutale filloi të zbatojë reformat e Tanzimatit. Një ditë më vonë, Omer Pasha e merr edhe Vrajën. Prej Vrajës, ushtria turke e thyen edhe rezistencën afër Leskovcit duke pushtuar fshatrat në mes të këtyre qyteteve dhe nga këto fshatra Omer Pashë Latasi internon më se 200 vetë. Pas pushtimit të Vrajës, Omer Pasha e suprimoi Pashallëkun e Vrajës, pasi në këtë kryengritje kishin qenë kundër Sulltanit.

SHQIPËRIA LINDORE E LIRË DHE AUTONOME GJATË
PERIUDHËS SHQIPTARE NË KRYE ME DERVISH CAREN

Kryengritja e Dervish Cares e cila fillon me çlirimin e Gostivarit në nëntor të vitit 1843 e deri në maj të vitit 1844, ku çlirua tërë Shqipëria Lindore. Kjo periudhë kohore e lirë e cila zgjati mbi gjashtë muaj, në historinë tonë kombëtare njihet si periudhë e Shqipërisë së lirë dhe të pavarur, ku ka funksionuar administrata shqiptare, në krye me Dervish Caren. Por, pas disfatës së kryengritësve te Katllanova, duhej të rivendosej rendi feudal turk në këto treva. Me riorganizimin e organeve të pushtetit turk ata morën masa drastike, me qëllim për të frikësuar popullatën që ajo të nënshtrohet sa më parë. Pushteti turk  burgosi dhe internoi me mijëra shqiptarë; në mesin e të cilëve edhe komandantin tetovarë, Dervish Care. Këta të gjithë të lidhur, duke ecur në këmbë deri në Selanik, prej nga me anije janë dërguar në Stamboll, për t’i nxjerrë para gjyqit. Duhet të përmendim dhe mos t’i harrojmë se një numër i madh i tyre që luftuan për çlirimin e Shqipërisë, nga lodhja maltretimi dhe torturat që përjetuan gjatë rrugës, pa ujë e ushqim, vdiqën pa mbërritur në Selanik. Ata që arritën në Stamboll u shpërndanë në vende të ndryshme të Anadollisë, në ato shkretëtira të pafund, prej nga, kurrë më nuk u kthyen në vatrat e tyre, duke i thënë përgjithmonë lamtumirë Shqipërisë. Por, duhet theksuar se me këtë nuk përfundoi lufta e ushtrisë turke për rivendosjen e pushtetit në trojet shqiptare. Omer Pashë Latasi, pasi u kthye nga Vraja për në Shkup, u drejtua kah Gryka e Kaçanikut, Ferizajt për në Prishtinë e Prizren, pasi në vitin 1844 edhe Prishtina ishte ngritur në këmbë për të përkrahur kryengritësit shqiptarë. Rezistenca shqiptare në Pejë, Prizren e Gjakovë, ka zgjatur deri kah mesi i vitit 1845. Kjo rezistencë gjithë shqiptare ruajti në esencë karakterin autokton të vetëvendosjes deri në kërkesën e plotë për njohje të autonomisë në kuadër të Perandorisë Osmane në të gjitha trevat që përfshinte popullatën shqiptare. Edhe pse kryengritja shqiptare nisi në Pollog, aty kah fundi i vitit 1843, mori karakter gjithëkombëtar dhe mbaroi me rezistencën e fundit të qyteteve të Kosovës aty kah fundi i vitit 1845. Këtë kryengritje dhe karakterin e saj për çlirim kombëtar, më së miri e përshkruan konsulli rus në Manastir. Ky konsull, për kryengritjen e Dervish Cares thotë: Dervish Care ishte një i afërm i Havzi Pashës. Kjo ngjarje ka ndodhur në tokën e Gegëve, siç e quan ai, “ Gegalik” - tokë fqinje me sllavët. Në fillim të vitit 1840, tre vëllezërit kanë sunduar në tërë Shqipërinë në mënyrë të pavarur. Këta udhëheqës shqiptarë e futin nën sundimin e tyre tërë tokën e Gegërisë.
Gjatë sundimit të Dervish Cares, u çliruan të gjithë qytetet shqiptare të Gegërisë- Shqipërisë Verilindore, përveç Manastirit, Velesit e Prilepit. Po ashtu, konsulli anglez thotë për Dervish Caren: “Kur më treguan se Dervish Care ka mbërritur i lidhur në Selanik, dola dhe e pashë me sytë e mi. Ai dukej një burrë i lartë, përafërsisht i moshës 50 vjeçare. Në fytyrë dukej i ashpër dhe fare nuk buzëqeshte”. Por edhe në bazë të dhënave për kohën e sundimit të tij në Gostivar si zëvendës i Xheladin Beut, ai prej vitit 1841 njihet si njeri që ka mbajtur rend dhe rregull në Gostivar, Tetovë dhe Shkup. Gjatë sundimit të Xheladin Beut i cili ka qenë i pavendosur në disa momente, të gjitha detyrat i kryente me sukses vetë Dervish Cara. Edhe në gjykimin e tij në Stamboll, sipas raporteve diplomatike, kur ka qenë i pyetur se kush të shtyri të çosh popullatën shqiptare kundër Perandorisë Osmane, ai në mënyrë lakonike para trupit gjykues përgjigjet: “Mos e merrni në qafë askënd. Të gjithë janë të pafajshëm. Unë kam qenë ai që e kam filluar luftën vetë në Gostivar dhe e kam udhëhequr deri në Betejën e Katllanovës. Prandaj duhet të më dënoni vetëm mua, të tjerët janë të pafajshëm”.
Kryengritja e Dervish Cares e tronditi deri në themel Perandorinë Osmane. Administrata turke gati në tërësi u shpartallua në tërë qytetet shqiptare. Diplomacia evropiane në këto ngjarje që ndodhën në mes të Ballkanit, u shqetësua pa masë. Mirëpo ajo më së shumti ishte e interesuar të ruante status kuon në Ballkan dhe asnjëherë, në asnjë çast, nuk mori në mbrojtje kryengritësit shqiptarë, kurse pala ruse tregonte ngjarje dhe ndodhi të cilat fare nuk i takonin popullit shqiptar si popull i robëruar së bashku me popujt tjerë në këto troje.
Diplomacia ruse tentonte që nëpërmjet të internacionalizmit të këtij problemi të ngrejë çështjen e sllavëve të Ballkanit, që nëpërmjet tyre ajo të forconte influencën e vet në Ballkan dhe kështu t’i ofrohet Detit Adriatik. Prandaj ajo nëpërmes diplomatëve evropianë kërkonte me të shpejtë intervenimin e ushtrisë turke me qëllim që sa më parë të shuhej kjo kryengritje mbarë shqiptare dhe të realizonte në mënyrë sa më të suksesshme pengimin e fitores së popullit shqiptar në drejtim të synimit të bashkimit kombëtar. Kjo kryengritje ishte e përgjithshme me karakter të pastër shqiptar. Në këtë kryengritje u bashkëngjitën të gjithë për të luftuar reformat e Tanzimatit i cili rrezikonte interesat kombëtare shqiptare.
Në krye të kësaj kryengritje ishin pashallarët, por shterat e ulëta, të të gjitha shtresave shqiptare. Për këtë arsye, kjo kryengritje ka epitetin e lëvizjes nacionalçlirimtare për pavarësi. Kjo kryengritje ka pasur edhe karakter të luftës gjithë popullore, për arsye se në këtë kryengritje morën pjesë të gjithë shqiptarët që patën mundësi të mbajnë armë dhe të nisen në luftë për të mbrojtur Shqipërinë nga haraçi që kërkonte Sulltani. Pra, për t’i çliruar tokat e veta nga sundimi dhe administrata turke e cila kohët e fundit mundohej me forma të llojllojshme të asimilojë kombin shqiptarë duke i trajtuar ata si popullatë turke. Prandaj, nëpërmjet reformave të Tanzimatit do të mundohet t’i shpërngulë nga trevat autoktone shqiptare. Historiografia shqiptare deri më tani nuk ia ka dhënë peshën e merituar kësaj kryengritje kaq masive dhe gjithëpërfshirëse të popullatës shqiptare, bile mund të themi se në mungesë të një studimi të mirëfilltë e ka injoruar luftën e saj nacionalçlirimtare në historinë tonë kombëtare.
Pasojat në këtë kryengritje ishin shumë të mëdha. Pas shuarjes së kryengritjes u likuiduan të gjithë shqiptarët që ishin me influencë, ku pati edhe familje të tëra. Një pjesë e madhe e tyre nga të gjitha qytetet shqiptare u internuan kurse popullsia e pafajshme iu nënshtrua haraçeve të ndryshme që kërkonte me forcë ushtria turke. Kjo kryengritje mund të quhet kryengritje e pastër fshatare, pasi në këtë nuk pati udhëheqës nga lartë por ata lindën nga vetë populli. Prandaj kjo kryengritje e pastër fshatare duhet të hyjë në histori si kryengritje më e madhe shqiptare në Ballkan dhe më gjerë. Pas kryengritjes të Matia Gubecit.
Nga kjo që thamë më lartë del se kryengritësit kanë kërkuar autonomi në kuadër të Perandorisë Osmane. Këtë e vërteton edhe shtypi rus, ku gazeta e Shën Peterburgut “Vjedomosti” shkruan; udhëheqësit e kryengritjes shqiptare i kanë propozuar komandantit turk: “Ata mund t’i dorëzojnë armët me kusht, që Porta t’u japë atyre të drejta si të Serbisë dhe Greqisë”. Nga kjo shihet qartë se kryengritësit kërkuan për Shqipërinë autonomi në kuadër të Perandorisë Osmane, siç iu kishte njohur grekëve dhe serbëve. Lejardi, pos tjerash në memoaret e veta shënon: “Unë bisedova me kryengritësit edhe për qëndrimin e tyre ndaj popullsisë krishtere duke ua kujtuar se në Stamboll kanë arritur lajme për 4000 ankesa dhe krime, kinse shqiptarët i kanë bërë mbi popullsinë krishtere”. Lidhur me këtë ai shënon: “Krerët kryengritës u fyen, ashpër protestuan, duke thënë: “se asgjë nuk është e vërtetë në ato lajme që paraqiten dhe se të gjitha ato janë shpifje të armiqve ballkanik dhe turqve, me qëllim që të minimizohen kërkesat tona legjitime para diplomacisë evropiane për t’u forcuar bindja për zërin e keq ndaj shqiptarëve”. Kryengritësit shqiptarë në ato biseda që patën me Lejardin, e kishin bindur atë, se me të vërtetë nga ato lajme trishtuese që kishin arritur në Stamboll nga pala sllave, nuk ka kurrgjë të vërtetë. Me shembuj konkretë e bindën atë, në fund diplomati anglez shënon, “Pasi u vërtetova në atë kohë se myslimanët dhe të krishterët jetojnë shumë mirë në mes veti dhe kishin marrëdhënie miqësore e posaçërisht nëpër fshatrat e përziera vështirë mund të dallosh myslimanin nga të krishterët”.
Historiografia sllave sot e kësaj dite, vazhdon me akuza dhe thotë: “Se në fillim të kryengritjes asaj iu bashkëngjitën edhe disa sllavo maqedonas, po shumë shpejt u larguan nga kryengritësit shqiptarë dhe komandanti i saj nga sjelljet e këqija të shqiptarëve”. Këto të dhëna historiografia maqedonase i merr nga këndi i vet dhe në mënyrë të pavërtetuar në terren mundohet t’ua më vesh shqiptarëve, duke deklaruar se turqit dhe të krishterët kanë qenë në pozitë shumë të palakmuar. Bile disa dokumente sllave në të cilat mbizotëron subjektivizëm i paparë, mundohen ta paraqesin komandantin shqiptar si shumë të egër. Bile disa shkojnë aq larg saqë komandantin e kryengritësve shqiptarë Dervish Caren dhe udhëheqjen e tij mundohen ta paraqesin si sundim të pa civilizuar, kinse kryengritësit shqiptarë bënë përdhunime vrasje kundër të krishterëve duke mos kursyer as pleqtë dhe fëmijët. Sot është për të pyetur këtë opinion, pse kanë pasur kaq frikë nga shqiptarët, pse çlirimin e Shkupit nuk e kanë pritur si çlirim të tyre të përbashkët me shqiptarët. Në luftërat e Skënderbeut kemi mbrojtur jo vetëm Shqipërinë Etnike, por, Ballkanin dhe Evropën.

HUMBJET E HAJREDIN PASHËS NË DIBËR

Shqiptarët e vazhduan rezistencën në drejtim të Dibrës. Qeveria turke kishte vendosur që rezistencën shqiptare ta shuaj në çdo pjesë të Shqipërisë, për të zbatuar reformat. Porta e Lartë edhe në luftën kundër dibranëve kishte caktuar komandant Hajredin Pashën, në këto ekspedita kanë marrë pjesë edhe feudalët dibranë Dali beu me të vëllain Aqif Pashën, të cilët ishin sundues në Tetovë deri më 6 korrik 1844. Me urdhër të Hajredin Pashës, si sundues i Shkupit, i cili në këtë kohë erdhi në Tetovë. Vëllezërit dibranë morën urdhër të nisen për në Dibër në ndjekje të kryengritësve shqiptarë që ishin strehuar në malet e Dibrës. Gjatë rrugës për në Dibër ushtarët e tyre bënë plaçkitje ndaj popullsisë fshatare. Kryengritësit që ende vepronin në malet e mbi Gostivar tërhoqën përpara kësaj ushtrie në drejtim të Mavrovës Radikës e Drinit u ndoqën nga bashibozuku dhe bejlerët e Dibrës. Këta dy vëllezër kur hynë në Dibër nuk u pritën mirë nga popullata e Dibrës. Pasi këta dy vëllezër gjatë kryengritjes së Dervish Cares mbajtën anën e Sulltanit. Ndërsa në Dibër qeveriste kushëriri i tyre Isak Pasha, ky ishte kundër reformave, por qeveriste me Dibrën, duke paguar në vit nga 400 “Qese” tatim vjetor. Këta dy vëllezër kur hynë në Dibër nga fundi i korrikut hasën në një revoltë të madhe te popullsia e Dibrës e cila nuk ishte dakord të jepte rekrut për Sulltanin. Por siç thamë më lartë nuk ishin të kënaqur edhe me veprimin e tyre antikombëtar.
Shqiptarët gjithmonë kanë ditur ti dënojnë ata që kanë prekur interesat e Shqipërisë. “Dy pashallarë dibran kur hynë në Dibër, nuk u pritën mirë nga popullata pasi luftuan në anën e sulltanit kundër vëllezërve të tyre” Këta kishin marrë pjesë gjatë gjithë kohës në ekspeditat e Hajredin Pashës për shuarjen e Kryengritjes në Shqipërinë Lindore të komanduar nga Dervish Care”. Dibra gjatë kësaj lufte dy vjeçare mbajti anën e Sulltanit në saje të dy vëllezërve bejlerë Dali beu dhe Aqif Pasha, të cilët me ushtritë e tyre, luftonin  kundër kryengritësve dhe ndihmuan shumë në shuarjen kryengritjes në pjesën e Shqipërisë Lindore. Këta dy vëllezër poashtu nuk lejuan që Dibra të bashkohet me kryengritësit e Dervish Cares edhe pse pati disa tentative dhe biseda, por deri te ajo nuk erdhi pasi në këtë kohë shumë feudalë shqiptarë për interesa të tyre personale nuk lejuan që disa krahina shqiptare të bashkohen me kryengritësit që luftonin kundër reformave të Tanzimatit, e në veçanti kundër rekrutimit të tyre, për të shkuar luftëtarë në Turqinë aziatike. Poashtu edhe Jugu kësaj radhe fare nuk u bashkua me kryengritësit, por, në të shumtën e rasteve mbajti krahun e Sulltanit.  
Në gusht të vitit 1844, shpërtheu kryengritja në Dibër të Madhe dhe të Vogël, me ta u bashkuan malësorët e Matit. Pasi Sulltani në vitin 1844, e shpalli në fuqi ligjin ushtarak edhe në Shkodër. Ky ligj u jepte të drejtë turqve të krijojnë ushtrinë e rregullt të Sulltanit. Kjo shtyri malësorët e kësaj ane që në Dibër të madhe e të vogël të shpërthej kryengritja. Me ta ishin edhe vullnetarë  nga Krahina e Matit. Besa u lidh kësaj radhe në fshatin Gjuricë në Veriperëndim të Dibrës. Në këtë Kuvend malësorët e viseve malore të Dibrës në Kuvendin e Gjuricës afër lumit Drin dhanë besën se do të mbronin privilegjet e fituara dhe nuk do të lejonin që nga këto vise të merreshin rekrutë dhe populli i kësaj ane nuk do të çarmatoset. Në mesin  burrave në këtë kuvend prezantonin edhe gratë dibrane që nuk donin ti jepni djemtë e tyre për ushtarë. Në këtë kuvend u emërua këshilli nga përfaqësuesit e Nëntë Maleve për udhëheqës u emëruan Cen Beka, Sali Marku, Hajrulla-aga dh She Zerqani, ku u përpilua strategjia e mbrojtjes përgjatë lumit Drin. Në fund u dha Besa që rekrutimi të rezistohet deri në fund. Shtabi i kryengritësve kësaj radhe ishte në Galiçnik.
Sulmet e para i në rajonin e Dibrës i bënë kapedanët Salë Demiri dhe Murat Balla, ata liruan nga rekrutimi disa të rinj që ushtria osmane i kishte nisur për Selanik. Ndërsa qeveritari i Dibrës Aqif Pasha i rrethuar në pallatin  e tij, arriti të ikë i maskuar. Këto veprime të disa çetave kryengritëse për rezistencë kundër reformave morën dhen.
 Përleshja e parë me ushtrinë turke ndodhi në 22 shtator 1844 mbi malet e Mavrovës, pararoja e Sulltanit udhëhiqej nga dy komandantë: Ramë Pasha dhe Karafil Beu. Hajredin Pasha nga Tetova u nisë për Galiçnik më 18 shtator, me një ushtri e përbërë nga 50 taborë. Sipas kronistëve të kohës Hajredin Pasha në këto sulme ka pasur mbi 20 mijë ushtarë. Hajredin Pasha në Mavrovë të parët i futi në luftë bashibozukët shqiptarë të ardhur nga Tetova që komandoheshin nga Derali Aga, ky si shqiptar i pakënaqur me reformat e sulltanit, kaloi në anën e kryengritësve. Pas një beteje të përgjakshme, e cila zgjati disa orë. kryengritësit u mundën dhe u tërhoqën kah veriu, ata numëronin 6000-8000 kryengritës. Hajredin Pasha vazhdoi rrugën drejt maleve të Dibrës.
Pas betejës së Mavrovës, ushtria turke  përparoi shpejtë drejtë çeshmes së Sulltanit, edhe këtu ushtria turke përdori topat, kryengritësit u shpërndanë në disa drejtime. Pjesa dërmuese e kryengritësve u tërhoq në drejtim të fshatit Trebishtë. Këta përsëri u tubuan më 22 shtator dhe nisën në drejtim të malit Bistra, për të luftuar prapë ushtrinë e Hajredin Pashës. Kryengritësit u ndeshën te lokaliteti Fërshec, beteja zgjati shkurt, por ishte tejet e rreptë. Pas sulmeve me topa kryengritësit u tërhoqën drejt Dibrës te kodrat e Kuqe. Hajredin Pasha hapi zjarr nga kodra e Gjorgjit, ku i sulmoi kryengritësit që bënin rezistencë te kodrat e kuqe, Kryengritësit u larguan, një pjesë drejtë Radikës, ndërsa pjesa tjetër drejt lumit Drin. 
Hajredin Pasha më 23 shtator hyri në Dibër. Ku u prit nga qytetarët e Dibrës në krye me Aqif Pashën dhe Dali Beun, të cilët i shprehën nënshtrimin e tyre, mirëpo Hajredin Pasha nuk u fali jetën, më në fund edhe këta i dërgoi në internim në Azi sëbashku me Isak Pashën, vdiqën nëpër burgjet e Azisë së Vogël. Pas pushtimit të Dibrës Ali Deral-aga iku në Peshkopi (Dibër të Vogël), ku e vazhdoi kryengritjen por në luftë me ushtrinë e Hajredin Pashës u vra, këtë e zëvendësoi vëllai i tij Zymber aga, i cili e vazhdoi rezistencën.
Dibranët në këtë luftë të madhe, treguan heroizëm të pa shoq, duke patur edhe ndihmën e trimëreshave dibrane, në betejat e kësaj ane kundër Hajredin Pashës. Gruaja dibrane në këto beteja derdhi gjakun dhe tregoi aftësitë e saja luftarake, një herrit  edhe dashurinë e madhe ndaj vendlindjes dhe atdheut.
Ushtima e luftës u përhap gati në çdo pjesë të Dibrës me rrethinë, nga Mavrova, Dibra, Peshkopia deri në Mat. Këto suksese të shqiptarëve në Malet e Dibrës, patën  jehonë të madhe në tërë krahinat shqiptare, që riti edhe më tepër rezistencën kundër Hajredin Pashës dhe ushtrisë turke në çdo pjesë të Shqipërisë etnike. Por, me këtë u shtua edhe lufta kundër elementeve tradhtarë vendas të lidhur me armikun, në rastin e  dhënë me pushtetin osman.
 Më 5 nëntor 1844, erdhi deri te beteja e Gjuricës, lufta zgjati 5 ditë. Edhe në këto beteja disa ditsh, nuk dihet numri i saktë i të vrarëve. Në këto luftëra ka marrë pjesë si i ri edhe Iliaz Pashë Dibra. Ky atdhetar në Lidhjen e Parë të Prizrenit u emërua Kryetar i Kuvendit të Lidhjes. Sipas raporteve të konsujve evropianë, thuhet: “se beteja ka qenë shumë përgjakur, nga të dy palët ka pasur shumë të vrarë e të plagosur. Por e ushtrisë turke kanë qenë dyfish më të mëdha”. Dy Dibra, Krahina e Rrekës dhe Mati dhanë në këto beteja mbi 2500 martirë, me disa mijë të plagosur ndërsa mbi 30 fshatra u dogjën, 47 u shkatërruan gjatë kësaj lufte  
Hajredin Pasha, mendohet të ketë humbur shtatë taborë, nga 12 mijë sa kishte në këtë betejë. Por është edhe një e vërtetë se deri në vitin 1831 Perandoria Osmane nuk kishte të regjistruar popullsinë e saj, ajo për herë të parë regjistrimin e bëri në stilin Evropian me urdhër të Sulltan Mahmudit në vitin 1831. Deri në këtë kohë në Shqipëri nuk kemi ndonjë regjistrim të saktë të ushtrisë turke, prandaj edhe kronistët turq, janë të rezervuar të japin shifra të ushtarëve të vrarë.
  Por, peshën e kësaj beteje të rëndësishme dhe heroizmin e pashoq që treguan dibranët, me kapedanët tyre si; Cen Leka e Salë Marku, edhe sot, këndohet kënga;
                        “Hajredin Pasha ku e ke lan ushtrinë,
në fushë të Dibrës, gjithë të grimë,
në Fushë të Dibrës, besa, mi kan gri,
 Jo më pak, se 12 mijë”  
Për këto humbjet e mëdha që pësoi Hajredin Pasha në Dibër me rrethinë, Sulltani i mori komandën dhe e largoi nga Shqipëria, duke e pensionuar, pasi nuk ishte i kënaqur me ekspeditat e tij luftarake në Dibër. Kjo fletë qartë se komandanti i njohur turk, që arriti ta shuaj Kryengritjen e Dervish Cares, pësoi humbje të mëdha në Dibër. Por sot e kësaj dite kronistët turq, nuk japin të dhëna të saktë, për numrin e ushtarëve të vrarë në këto anë. Por vetëm shënohet se ushtria e Hajredin Pashës, bëri shkatërrime të hatashme në Dibër të Madhe dhe të Vogël.
Komandantët  turq që u dërguan në Shqipëri për zbatimin reformave  të Tanzimatit u erdhën  me mburrje se do ta gjunjëzonin lehtë Shqipërinë, por para tyre gjetën të vendosur popullin shqiptar, i cili u çua në këmbë për të mbrojtur të drejtat dhe liritë e veta tradicionale. Pas shuarjes së kryengritjes të Dervish Cares dhe të Dibrës në deri fund të vitit 1844, Pas në rezistence të fuqishme trevjeçare, Sulltani, në pranverën e vitit 1845, e filloi mbledhjen e nizamit në tërë Shqipërinë. 
SHQIPËRIA LINDORE E PARA PARASHTROI KËRKESAT
               PËR  AUTONOMINË E SHQIPËRISË

Kryengritja e Dervish Cares nuk duhet shikuar veçmas, por në kuadër të gjitha kryengritjeve të mëparshme shqiptare, duke filluar madje nga luftërat e Skënderbeut në shekullin XV-të. Fakt është se shqiptarët gjatë gjithë periudhës osmane kishin fisnikëri të vet, shumtë fortë, si familjet; Kastrioti, Muzaka, Dukagjini, Ali pashë Janina, Mustafa pashë Shkodrani, e të tjerë, që gëzonin autoritet  të bashkëvendësit e tyre dhe që ishin shpesh të pavarur ose gjysmë të varur me një fare autonomie të brendshme. Po ashtu është fakt se gjatë gjithë kësaj periudhe shqiptarët ishin të  organizuar në fise, bajraqe e klane, që kishin njëfarë kohezioni në popull. nuk duhet nënçmuar e mënjanuar as bektashizmin i cili në këtë kohë ishte tejet i zhvilluar, që u bë fe e tretë në Shqipëri, që si mbindërtim e ideologji ishte shpesh në opozitë të ashpër me islamin, duke zhvilluar edhe ndjenjën për autonomi të veçantë. Këta tre faktorë ndikuan pozitivisht për ruajtjen  e zhvillimin e ndjenjës për diçka të veçantë që i largonte nga Perandoria Osmane, kundër së cilës ngriheshin shpesh për autonomi. Ata këtë frymë kryengritëse e kultivonin dhe e bartnin në radhët e gjeneratave më të reja, duke idealizuar në kohë të njëjtë e në radhë të parë, doktrinën e luftës, të Madhit Skënderbe.
Nëse kësaj i shtohet edhe fakti se shqiptarët në Perandorinë Osmane trajtoheshin si popull i robëruar dhe ata që ishin ortodoks ishin të detyruar të mësojnë greqisht e ata myslimanë turqisht dhe arabisht, kurse shqiptarët katolikë italisht, pa u njohur me gjuhën shqipe. E cila me gjithë pengesat që pati gjuha e jonë në shkollat e huaja, që u hapën në Shqipërinë Etnike, shqipja  për shqiptarët në komunikimin reciprok ishte dhe mbeti absolutisht e para, pasi gjuha ishte edhe porosi familjare e nënave shqiptare “mos e harro gjuhën e nënës”. Poashtu në ngritjen e vetëdijes kombëtare ndikuan edhe faktor të tjerë, ku në mesin e shekullit XIX, ndihej gjithnjë më shumë depërtimi i elementeve kapitaliste në mbarë Shqipërinë e posaçërisht në vendet bregdetare, që ndikoi për paraqitjen e klasës qytetare dhe të inteligjencies si dhe paraqitjet e Serbisë dhe Greqisë të pavarur, që ndikuan shumë mbi vetëdijen shqiptare. Këto rrethana të reja në Ballkan, shkaktuan dukurinë dhe kristalizimin e ideve për autonomi edhe të Shqipërisë, që do të ngelte edhe më tutje vasale ndaj sulltanit. Gjatë kryengritjes të Dervish Cares, një gazetë e përditshme në Petërburg shkruante “Se prijësit e kryengritjes e kanë lajmëruar komandantin e fuqive osmane se do ti dorëzonin armët por me kusht që edhe atyre t’u jepen të drejta të ngjashme me serbët”.
Këtë fakt e kumton edhe konsulli austriak në Shkodër, Ippen, i cili thotë: “Se kryengritësit shqiptarë kërkonin autonomi të posaçme për Shqipërinë, të ngjashme me atë të Serbisë, pra tu jepen të drejta si gëzonte principata serbe në atë kohë”. Konsulli francez në Selanik Gric, mendonte se Shqipëria trajtohet më shumë si vend i pushtuar se si provincë e perandorisë, banorët e së cilës qenkan në përleshje me pushtetin …prandaj kërkuan njëfarë autonomie të ngjashme me serbët.
Kjo edhe pse kryengritja shqiptare edhe pse nisi në Shqipërinë Lindore, aty kah  fundi i vitit 1843, mori karakter gjithëkombëtar dhe mbaroi me rezistencën e fundit të qyteteve të Shqipërisë veriore kah fundi i vitit 1845. Kryengritja e Dervish Cares ishte kryengritja më e madhe shqiptare në kohën e Tanzimatit. Kjo kryengritje me karakterin e saj për çlirim kombëtar, hapi rrugën drejtë luftës për çlirim nacional dhe e para përgatiti Lidhjen e Parë të Prizrenit.

ME RASTIN E 165 VJETORIT TË KRYENGRITJES TË DERVISH CARES NË SHQIPËRISË LINDORE

KRYENGRITJA E DERVISH CARES, PARAPËRGATITI LIDHJEN E PRIZRENIT


Nga Prof. dr. Vebi Xhemaili ,  2009